Nis faza e dytë e aplikimeve për kreditë e buta në Tiranë, fituesit dorëzojnë dokumentacionin
Bashkia e Tiranës ka nisur fazën e dytë të procesit për programin social “Subvencionimi i Interesave të Kredisë”, i njohur ndryshe si programi i kredive të buta.
Pas shpalljes së listave të fituesve dhe jofituesve të fazës së parë, qytetarët që janë shpallur përfitues duhet tashmë të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për të vijuar procedurat.
Më herët gjatë këtij muaji, ekofin.al publikoi listën e aplikimeve fituese dhe jofituese të fazës së parë të programit, nga e cila rezultuan 2,871 aplikantë fitues dhe 1,538 jofitues.
Sipas njoftimit të Bashkisë së Tiranës, fituesit duhet të dorëzojnë dokumentacionin e vlefshëm nga data 25 qershor deri më 13 korrik 2026. Dokumentacioni dorëzohet pranë Sektorit të Informimit dhe Shërbimeve për Qytetarët në Bashkinë e Tiranës, ndërsa lista emërore e përfituesve është afishuar pranë njësive administrative. Për çdo paqartësi, qytetarët duhet t’i drejtohen njësisë administrative ku janë të regjistruar.
Në njoftimin e publikuar, Bashkia u kujton përfituesve se respektimi i afatit për dorëzimin e dokumenteve është kusht për vijimin e procedurave të programit.
Programi mbështetet në ligjin “Për strehimin social” dhe në vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës të datës 26 shkurt 2026, i cili përcakton sistemin e pikëzimit, nivelin minimal dhe maksimal të të ardhurave, kufijtë e kreditimit, si edhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë individët dhe familjet për t’u trajtuar me këtë skemë.
Bashkia ka sqaruar gjithashtu se, në rastet kur brenda së njëjtës certifikatë familjare kanë aplikuar më shumë se një person, dokumentacioni duhet të dorëzohet vetëm nga njëri prej aplikantëve, duke përfshirë dokumentet për të gjithë anëtarët madhorë të familjes.
Ndërkohë, individët ose familjet që janë shpallur përfituese nga programi në thirrjen e vitit 2025 dhe për të cilët Enti Kombëtar i Banesave ka miratuar shtyrjen e afatit për realizimin e procedurave, nuk kanë të drejtë të aplikojnë në këtë thirrje.
Programi i kredive të buta mbetet një nga instrumentet kryesore të Bashkisë së Tiranës për të mbështetur familjet që nuk kanë mundësi të sigurojnë strehim në tregun e lirë, përmes subvencionimit të interesave të kredisë për blerjen e një banese.